Isida Mitre është themeluese e markës Pashmisy, një brand aksesorësh që bashkon elegancën, ngjyrat dhe mjeshtërinë artizanale italiane. Ajo është larguar nga Shqipëria në një moshë shumë të vogël dhe ka jetuar për shumë vite në Itali, ku ka përfunduar studimet dhe ka ndërtuar bazat e formimit të saj profesional.

Pas gati 20 vitesh në Itali, Isida u shpërngul në Londër, ku ka punuar, ka krijuar familjen dhe ka gjetur frymëzimin për të ndërtuar markën e saj. Pashmisy lindi nga pasioni për modën, tekstilet cilësore dhe dëshira për të sjellë aksesorë premium, të prodhuar në Itali, për gra që vlerësojnë stilin e përjetshëm dhe ngjyrat e guximshme.

Çfarë ju shtyu të largoheshit nga Shqipëria dhe të themelonit kompaninë tuaj Pashmisy në Londër?
Largimi nga Shqipëria ka ndodhur në një moshë shumë të vogël. Fillimisht jam zhvendosur në Itali, ku kam kryer të gjitha studimet shkollore deri në universitet. Pas pothuajse 20 vitesh jetesë në Itali, u shpërngula në Londër, ku kam punuar dhe kam formuar familjen time. Në fillim, ideja për të krijuar një biznes online nuk ishte në planet e mia. Megjithatë, me kalimin e viteve në Londër dhe duke vënë re se Anglia ofron shumë hapësirë dhe mundësi për të ndërtuar biznesin tënd, mora guximin dhe vendimin për të themeluar Pashmisy në vitin 2023.

Pse zgjodhët online si kanalin kryesor dhe çfarë roli ka pasur ecommerce në rritjen e kompanisë suaj?
Kanali online u zgjodh sepse unë vetë jam një person që blen kryesisht online dhe shumë rrallë shkoj në dyqane fizike për të blerë. Zakonisht i vizitoj ato vetëm për t’u frymëzuar dhe për të marrë ide. Nga ana tjetër, zgjodha online edhe sepse vura re që është një kanal shumë i zhvilluar dhe në rritje të vazhdueshme. Audienca e preferon blerjen online, pasi shumë njerëz nuk kanë kohë të shkojnë në dyqane fizike për të provuar dhe për të blerë produkte. Ecommerce ka luajtur një rol kyç në rritjen e kompanisë sime, duke më mundësuar të arrij klientë kudo dhe në çdo kohë.

Çfarë dallimesh keni vërejtur midis tregut të ecommerce në Shqipëri dhe atij britanik?
Për të thënë të drejtën, është pak e vështirë të jap një përgjigje të saktë, pasi nuk kam pasur shumë përvojë direkte me tregun e ecommerce në Shqipëri. Duke qenë se kam jetuar për shumë vite në Itali dhe kam pasur më tepër komunikime dhe përvojë me tregun italian dhe atë britanik, më bëhet pak e vështirë të jap një opinion.

Cilat mjete dixhitale ose strategji marketingu online kanë bërë diferencën në rrugëtimin tuaj?
Social media ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në rrugëtimin tim, veçanërisht Instagrami. Ky kanal më ka ndihmuar të rris audiencën time, të krijoj një lidhje të drejtpërdrejtë me klientët dhe, njëkohësisht, ka qenë një burim i vazhdueshëm frymëzimi për produktet dhe për komunikimin e markës.

Si e shihni zhvillimin e ecommerce në vitet e ardhshme dhe cilat janë objektivat tuaja për zgjerim?
Sipas mendimit tim, ecommerce është në rritje të vazhdueshme dhe kjo prirje do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme. Audienca do të preferojë gjithnjë e më shumë blerjet online, pasi jetojmë në një realitet ku jemi vazhdimisht të zënë me familjen, punën dhe angazhimet e përditshme, ndërsa koha është gjithnjë e më e kufizuar. Për këtë arsye, gjithnjë e më shumë njerëz do të zgjedhin të blejnë online, duke e parë këtë kanal si një zgjidhje praktike dhe të thjeshtë. Objektivat e mia për zgjerim lidhen me forcimin e pranisë online, rritjen e audiencës dhe zhvillimin e mëtejshëm të markës në tregje të reja.

Çfarë këshillash do t’u jepnit të rinjve sipërmarrës shqiptarë që duan të përdorin ecommerce për të çuar biznesin e tyre jashtë vendit?
Nëse dikush ka pasion dhe beson vërtet në aktivitetin e tij, këshilla ime do të ishte të gjejë guximin për ta ndërmarrë këtë hap. Të ndërtosh një ecommerce nuk kërkon vetëm buxhet ekonomik, por mbi të gjitha kërkon kurajo, këmbëngulje dhe besim në vetvete. Tregu online ofron mundësi të mëdha për të çuar një biznes përtej kufijve dhe për të arritur klientë kudo, por hapi i parë është gjithmonë vendimi për të nisur.